Gega: Kosovës i duhen njerëz që hyjnë në politikë për të dhënë kontribut, jo për t’i marrë edhe paratë e benzinës

Kandidati për deputet nga PDK-ja, Arben Gega, ka deklaruar se politika duhet të udhëhiqet nga njerëz që kanë dëshmuar veten profesionalisht dhe që hyjnë në institucione për të kontribuar, e jo për përfitime personale.

Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Gega ka vënë theksin te transparenca dhe përgjegjësia publike, duke thënë se besimi i qytetarëve ndërtohet vetëm kur politikanët janë të hapur për atë që kanë arritur para se të kërkojnë votën.

“Hyj në politikë i realizuar profesionalisht. Nuk kam nevojë të pasurohem nga mandati, apo të marr shtesa kur përfundon mandati”, ka deklaruar ai.

Gega ka theksuar se pasuria e tij është publike, e hapur dhe e verifikueshme, duke shtuar se qytetarët kanë të drejtë të dinë se kush i përfaqëson dhe çfarë ka ndërtuar ai person para se të angazhohet në politikë.

Ai ka kritikuar edhe kulturën e përfitimeve në politikë, duke thënë se vendit i duhen përfaqësues që shërbejnë dhe jo që e shohin mandatin si privilegj.

“Kosovës i duhen njerëz që hyjnë në politikë për të dhënë kontribut, e jo të marrin edhe paratë e benzinës për të shkuar në punë”, është shprehur Gega.

Sipas tij, përvoja në sektorin privat dhe rezultatet e arritura jashtë politikës janë garanci më e madhe për përfaqësim të përgjegjshëm dhe vendimmarrje në interes të qytetarëve.

Arben Gega garon për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës me numrin 68 në zgjedhjet e 7 qershorit.