Mbi 1600 gjoba gjatë majit në rajonin e Ferizajt

Policia Rajonale e Ferizajt ka njoftuar se gjatë muajit maj ka shqiptuar gjithsej 1635 gjoba ndaj shoferëve të cilët janë kapur duke lëvizur me shpejtësi mbi normat dhe kufizimet e lejuara.

Bëhet e ditur se aktiviteti është realizuar në kuadër të projekt-fushatës “Shpejtësia nuk është aftësi, është rrezik”, me moton kryesore: “Mos e mat jetën me kilometra në orë”.

Policia e Ferizajt njëherësh i bën apel shoferëve për kujdes në trafik.

“Shpejtësia e papërshtatshme rrezikon drejtpërdrejt jetën e shoferit dhe të të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion. Respektoni kufizimet e shpejtësisë dhe përshtatni ngasjen me kushtet e rrugës, pasi një moment pakujdesie mund të ketë pasoja në njerëz”.

Gjithashtu, bëhet e ditur se kontrollet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me qëllim rritjen e sigurisë në komunikacion dhe parandalimin e aksidenteve rrugore.