Paraqiti faturë të rreme në tenderin mbi 80 mijë euro, aktakuzë ndaj drejtorit të një kompanie në Prizren

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit U.D., dhe personit juridik “M.L.L.C’’ për shkak të dyshimit për keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik.

Drejtori i kompanisë së lartëpërmendur ka paraqitur dokumentacion të rremë me qëllim të mashtrimit gjatë aplikimit në procedurën e prokurimit publik.

“Sipas aktakuzës, gjatë muajit gusht 2024 në Prizren, i pandehuri U.D., në cilësinë e drejtorit të kompanisë “M.L.L.C.”, gjatë aplikimit në procedurën e prokurimit publik me titull “Sigurimi fizik në objektet e shëndetësisë primare të Komunës së Prizrenit”, në vlerë prej 80,825.60 euro, ka paraqitur dokumentacion të rremë, përkatësisht një faturë në vlerë prej 4,775.00 euro, me qëllim të mashtrimit dhe ndikimit në vendimin e autoritetit kontraktues”, thuhet në njoftim.

Sipas aktakuzës, dokumentacioni i paraqitur në kuadër të ofertës është verifikuar nga ATK dhe është konstatuar se nuk ishte i deklaruar sipas legjislacionit tatimor në fuqi.

“Për të njëjtat veprime, aktakuza është ngritur edhe ndaj personit juridik “M.L.L.C”.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartcekur për veprën penale për të cilën akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit, po ashtu për të pandehurin U.D., prokuori i çështjes ka propozuar dënimin plotësues mosushtrimi i funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik”.