Jehona Lushaku ka reaguar ashpër ndaj një performance të realizuar nga një vajzë e mitur në një aktivitet politik të Lëvizjes Vetëvendosje në Vushtrri, duke e cilësuar atë si keqpërdorim të fëmijëve për qëllime politike.
Përmes një postimi në Facebook, Jehona Lushaku tha se skena e shfaqur në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve duhet të shqetësojë të gjithë, pasi sipas saj, një fëmijë u vendos të recitonte një tekst me përmbajtje që nuk i përket botës së fëmijëve.
Ajo kritikoi kryeministrin Albin Kurti, duke thënë se përdorimi i fëmijëve për propagandë politike ua cenon fëmijërinë dhe i ekspozon ata ndaj mesazheve të urrejtjes dhe përçarjes.
Sipas Lushakut, fëmijët e Kosovës kanë nevojë për arsim më cilësor, çerdhe, siguri dhe mundësi për zhvillim, e jo të bëhen pjesë e betejave politike të të rriturve.
“Mos i përdorni fëmijët për betejat tuaja politike. Mos ua mbushni zemrat me urrejtje. Fëmijët e Kosovës meritojnë fëmijëri pa urrejtje”, ka shkruar ajo në reagimin e saj.









