Mashtrimi i Behgjet Pacollit – Valon Lluka e nxjerr në rren me dokumente

Dokumentet e publikuara nga Valon Lluka, ish-administrator i Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, përgënjeshtërojnë akuzat e rënda të pronarit të Mabco Constructions, Behgjet Pacolli.

Lluka ka publikuar të hënën dokumentet e noterizuara dhe të nënshkruara nga dy vëllezërit Pacolli, Emini dhe Behgjeti, lidhur me transferimin e 47% të aksioneve të koncensionit të aeroportit nga Mabco te kompania 2A Group e Valon Ademit.

I akuzuar nga Pacolli për mashtrim dhe falsifikim të dokumenteve, Lluka, një bashkëpunëtor për gati 20 vjet i biznesmenit me bazë në Lugano, tha të hënën – në një letër publike – se asnjëherë nuk nënshkroi asgjë pa miratimin e ish-shefave të tij.

Ai publikoi kontratën e transferimit të aksioneve. Ajo përmban firmën e Behgjet Pacollit, si dhe vulën apostile ndërkombëtare nga një studio në Zvicër.

Screenshot

Çështja e aksioneve të koncensionit të Aeroportit të Vlorës, Mabco dhe 2A Group, e gjeti Valon Llukën, ish-administratorin e VIA-s, në mesin e përplasjes mes palëve.

Ai, u akuzua publikisht nga Pacolli për mashtrim dhe falsifikim të dokumenteve.

Lënda rreth kuotës së aksioneve të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës ndodhet nën shqyrtim nga Gjykata e Tiranës, ndonëse pak ditë më parë Gjykata e Lartë vendosi për heqjen e masës së sigurisë së caktuar sipas propozimit të 2A Group kundër pjesëmarrjes së Mabco në administrimin e koncensionit.

Vitin e kaluar, Prokuroria në Shqipëri nisi hetime penale edhe ndaj Behgjet Pacollit, vëllait të tij, Eminit dhe punonjësit të Mabco, Nelson Çela. Të tre dyshohen për veprat e “mashtrimit me pasoja të rënda”, “falsifikim dokumentesh” dhe “mashtrim kompjuterik”.

Veprat për të cilat ata hetohen ndërlidhen me dyshimet se Pacolli dhe njerëzit e tij ia shiten aksionet e Aeroportit kompanisë “Delphos Securities Sarl”, duke e mashtruar aksionarin tjetër, 2A Group.

Sipas një kallëzimi penal të deponuar në Prokurori, Pacolli dyshohet se mashtroi Ademin për pronësinë e Aeroportit.

Pacolli pretendon se është zotërues i 98% të aksioneve të Aeroportit, ndërsa Ademi pretendon se ai, me dokumente, është zotërues i 49% të aksioneve.