Kandidati për kryeministër nga Aleanca, Ardian Gjini, ka theksuar se zhvillimi ekonomik i Kosovës nuk mund të arrihet pa një terren të sigurt gjeostrategjik dhe pa ligje që, sipas tij, mbrojnë të ardhmen e vendit.
Përmes një postimi në Facebook, Gjini ka deklaruar se Aleanca garanton një platformë të qartë kombëtare, ku institucionet dhe diplomacia e Kosovës veprojnë të pavarura dhe në koordinim me partnerët strategjikë.
Ai ka vënë theks te rreshtimi strategjik me partnerët perëndimorë si garanci për investime dhe stabilitet, duke përmendur po ashtu rëndësinë e marrëdhënieve të qëndrueshme me Shqipërinë, sundimin e pakompromis të ligjit dhe fuqizimin e mërgatës si shtyllë e zhvillimit ekonomik.
“Që nga partneriteti me Perëndimin, raportet vëllazërore me Shqipërinë, sundimi i ligjit dhe kthimi i mërgatës në motor të ekonomisë, Aleanca ka një vizion të qartë për zhvillimin e vendit”, është mesazhi i përcjellë nga Gjini.








