Detaje të tjera janë bërë të ditura pas një aksidenti tragjik që ka ndodhur në Denizli të Turqisë, me ç’rast kanë humbur jetën tetë persona dhe 33 të tjerë kanë mbetur të lënduar, pasi që autobusi u përfshi nga flakët.
Autobusi me pasagjerë që po udhëtonte nga Izmiri për në Antalia, doli jashtë kontrollit dhe u përplas me barrierat buzë rrugës, ku më pas shpërtheu zjarri.
Në mesin e personave që kanë humbur jetën është edhe një foshnje 9-muajshe, e gjinisë mashkullore, që nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve.
Sipas mediave turke, babai e kishte mbuluar atë më trupin e tij, por në fund të dytë kanë humbur jetën.
Bazuar në deklaratat e të lënduarve, afërsisht 20 minuta para aksidentit, shoferi e kishte tërhequr autobusin në njërën anë të rrugës për të kontrolluar për ndonjë defekt dhe më pas kishte vazhduar vozitjen.
Sipas një raporti, ekipet e shëndetësisë, policia, zjarrfikësit dhe xhandarmëria u dërguan në zonë dhe zjarri ishte arritur të shuhet përafërsisht brenda gjysmë ore.
Ndërkohë, 33 personat e plagosur në aksident janë dërguar për trajtim mjekësor, derisa dy prej tyre raportohet se janë në gjendje kritike. /Klankosova.tv








