Një intervenim i shpejtë i zyrtarëve policorë ka rezultuar vendimtar në shpëtimin e jetës së një fëmije në Liqenin e Batllavës.
Sipas informacioneve, gjatë patrullimit, njësiti policor i ka dalë në ndihmë një qytetari i cili kishte nxjerrë nga liqeni një fëmijë në gjendje të rëndë.
Menjëherë pas mbërritjes në vendngjarje, zyrtarët policorë kanë ndërmarrë masat e nevojshme të reanimimit kardio-pulmonar (CPR), duke arritur të përmirësojnë gjendjen e viktimës.
Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe ekipi emergjent mjekësor, i cili pas ofrimit të ndihmës së parë e ka transportuar fëmijën për trajtim të mëtejmë mjekësor.
Reagimi i shpejtë dhe profesional i policisë dhe ekipit mjekësor ka qenë kyç në këtë rast të shpëtimit të jetës./Telegrafi








