Botërori 2026 do të implementojë një sërë rregullash të reja të miratuara nga FIFA dhe IFAB, me synimin për ta bërë lojën më të rrjedhshme dhe luftuar humbjen e kohës. Një nga ndryshimet kryesore lidhet me rivëniet anësore dhe goditjet nga porta. Futbollistët do të kenë vetëm 5 sekonda për t’i ekzekutuar. Nëse afati tejkalohet, rivënia anësore i jepet kundërshtarit, ndërsa për goditjen nga porta akordohet goditje këndi për ekipin rival.
FIFA do të ndëshkojë më ashpër protestat ndaj arbitrave dhe lojtarët që mbulojnë gojën gjatë përballjeve me kundërshtarët. Në raste të caktuara, arbitri mund të japë edhe karton të kuq. Ndryshime të rëndësishme prekin edhe zëvendësimet. Lojtari i zëvendësuar duhet të largohet nga fusha brenda 10 sekondave. Nëse nuk e bën, skuadra mbetet përkohësisht me një lojtar më pak dhe zëvendësuesi mund të futet vetëm në ndërprerjen e radhës të lojës.
VAR-i do të ketë më shumë kompetenca, duke mundur të korrigjojë raste të kartonit të dytë të verdhë të dhënë gabimisht, identitetin e gabuar të lojtarit të ndëshkuar dhe goditjet e këndit të akorduara gabimisht. Po ashtu, kur kushtet atmosferike e kërkojnë, do të ketë pauza hidratimi rreth minutës së 22-të të secilës pjesë për të mbrojtur shëndetin e futbollistëve.
The post FIFA revolucionon Botërorin 2026, ja rregullat e reja për zëvendësimet, rivëniet dhe kompetencat e VAR-it appeared first on Telesport.









