Mërgim Lushtaku: Ata që pushtetin e shohin si gjithçka, nuk hezitojnë t’i shfrytëzojnë fëmijët dhe të ecin edhe mbi kufoma

Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës, Mërgim Lushtaku, ka reaguar ashpër ndaj përdorimit të fëmijëve në aktivitete që lidhen me fushatat zgjedhore, duke e cilësuar këtë praktikë si të turpshme, të ulët dhe denigruese.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Lushtaku tha se individët që e shohin pushtetin si qëllimin kryesor nuk hezitojnë të shfrytëzojnë edhe fëmijët për përfitime politike.

“Për fat të keq, ata që pushtetin e shohin si gjithçka, nuk hezitojnë t’i shfrytëzojnë fëmijët dhe të ecin edhe mbi kufoma vetëm për ta arritur atë”, ka shkruar ai.

Lushtaku theksoi se vazhdimisht ka bërë thirrje që qytetarët të mos bëjnë tifo për politikanët, pavarësisht përkatësisë së tyre politike, por të angazhohen dhe të punojnë për të mirën e Kosovës.

Ai e konsideroi të papranueshme përfshirjen e fëmijëve në fushata zgjedhore, duke rikujtuar se një veprim i tillë është i ndaluar dhe i dënueshëm sipas legjislacionit në fuqi.

“Është e papranueshme që fëmijët të përdoren për fushatë zgjedhore. Kjo është edhe e dënueshme sipas legjislacionit në fuqi”, ka deklaruar Lushtaku.