Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, ka takuar të dielën qindra mësimdhënës, arsimtarë, profesorë dhe punëtorë të arsimit, me të cilët diskutoi për sfidat e sektorit të arsimit dhe nevojën për përmirësimin e pozitës së tyre profesionale dhe sociale.
Në fjalën e tij, Hamza theksoi se ata që edukojnë dhe formësojnë brezat e rinj nuk duhet të përballen me pasiguri ekonomike apo mungesë vlerësimi nga shteti.
“Mësuesit nuk duhet të mendojnë nëse u del paga për të kaluar muajin. Arsimtarët dhe profesorët nuk duhet të ndihen të nënvlerësuar. Punëtorët e arsimit duhet të kenë siguri dhe dinjitet në punën e tyre”, ka thënë Hamza.
Ai u zotua se me të ardhur në qeverisje, arsimi do të trajtohet si prioritet kombëtar.
“STOP krizës, PO ndryshimit! PO ndryshimit për një arsim që i respekton mësimdhënësit dhe e mbështet çdo punëtor të dijes: me paga më të larta, me kushte më të mira dhe me vlerësim të merituar për punën e tyre”, ka theksuar ai.








