Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar dhe Australia kanë njoftuar se do të zhvillojnë teknologji të dronëve nënujorë për të mbrojtur kabllot nënujore dhe për të forcuar kapacitetet mbrojtëse, në kuadër të aleancës së tyre ushtarake të njohur si Aukus.
Teknologjia e mjeteve nënujore pa ekuipazh (UUV) pritet të jetë gati deri vitin e ardhshëm. Edhe pse kostoja totale e projektit nuk është bërë publike, sekretari britanik i Mbrojtjes, John Healey, ka bërë të ditur se Mbretëria e Bashkuar do të kontribuojë me 150 milionë funte (rreth 201 milionë dollarë).
Njoftimi u bë nga ministrat e mbrojtjes të tri vendeve gjatë një samiti të sigurisë në Singapor, pas kritikave për përparim të ngadaltë në projektet e Aukus.
Duke pranuar kritikat, Healey deklaroi se “për një kohë të gjatë në Aukus kemi folur shumë dhe kemi realizuar pak”, duke shtuar se “kjo tashmë ka ndryshuar nën qeveritë tona”.
Pakti mbrojtës Aukus, i krijuar në vitin 2021, parasheh zhvillimin e nëndetëseve me energji bërthamore dhe shkëmbimin e ekspertizës ushtarake mes tri vendeve, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.
Ky bashkëpunim shihet gjerësisht si një mënyrë për të kundërbalancuar praninë në rritje të Kinës në rajonin Indo-Paqësor dhe rolin e saj në tensionet e shtuara në territore të kontestuara, si Deti i Kinës Jugore.
Teknologjia UUV është projekti i parë i rëndësishëm në kuadër të “Shtyllës së Dytë” të Aukus, përmes së cilës vendet partnere bashkëpunojnë në zhvillimin e kapaciteteve të avancuara, përfshirë raketat hipersonike me rreze të gjatë, robotikën nënujore dhe inteligjencën artificiale.
Në një deklaratë të përbashkët thuhet se projekti i ri do të mundësojë zhvillimin e sistemeve dhe pajisjeve moderne për mjetet nënujore pa ekuipazh, të cilat mund të përdoren për mbrojtjen e infrastrukturës nënujore, kryerjen e sulmeve, mbikëqyrje, zbulim dhe operacione logjistike.









