Vjosa Osmani: Kosova nuk mund ta humbasë të ardhmen nga përçarja politike

Në nisjen zyrtare të fushatës së saj presidenciale nën siglën e LDK-së, Vjosa Osmani mbajti një fjalim që shënoi një rikthim të fuqishëm të narrativës rugoviane në qendër të debatit politik në Kosovë. Me tone presidenciale dhe me një retorikë të ndërtuar mbi shtetin, aleancat dhe unitetin kombëtar, Osmani paralajmëroi se vendi po hyn në një moment vendimtar historik.

“Një popull që ka fituar lirinë kundër të gjitha gjasave nuk mund ta humbasë të ardhmen nga përçarja politike”, deklaroi ajo.

Në fjalimin e saj, Osmani kritikoi ashpër politikën që prodhon konflikte të përhershme dhe “armiq imagjinarë”, ndërsa prezantoi vizionin e saj për një Kosovë që fokusohet te zhvillimi ekonomik, arsimi dhe integrimi ndërkombëtar.

“Nuk ka asgjë heroike në izolim. Nuk ka asgjë patriotike në prishjen e miqësive”, tha ajo.

Kandidatja e LDK-së e vendosi theksin edhe te nevoja për rikthimin e besimit qytetar te shteti dhe institucionet, duke thënë se Kosova duhet të dalë nga “politika e lodhjes kolektive”.

Në një pjesë të fjalimit që u interpretua si kritikë direkte ndaj qeverisjes aktuale, Osmani tha se qytetarët do të zgjedhin më 7 qershor “mes kaosit dhe maturisë, mes konfliktit dhe ndërtimit”.

Ajo u ndal veçanërisht te largimi i të rinjve nga vendi, duke e cilësuar emigrimin masiv si një alarm kombëtar. “Kur rinia e sheh aeroportin si shpëtim, shteti duhet të reflektojë”, deklaroi ajo.