Hajnat godasin biznesin “Hill Group” në Marigona Residencë, vodhën para dhe stoli në vlerë prej 20 mijë eurosh

Një vjedhje e rëndë ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit të 26 majit 2026 në zonën e Marigonës në Preoc të Graçanicës, ku persona ende të paidentifikuar kanë depërtuar me forcë në një biznes dhe kanë marrë para e stoli me vlerë të konsiderueshme.

Burime të besueshme nga strukturat e afërta me hetimin bëjnë me dije se cak i hajdutëve ka qenë kompania “Hill Group”, në pronësi të A.Th.

Sipas dyshimeve fillestare, autorët fillimisht kanë dëmtuar me forcë një dritare të objektit dhe më pas kanë hyrë brenda hapësirave të biznesit, ku kanë arritur të marrin para të gatshme dhe stoli në vlerë rreth 20 mijë euro.

Gjatë depërtimit në objekt është aktivizuar edhe alarmi i sigurisë, çka ka ngritur dyshimet se autorët janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.

Në lokacion kanë dalë patrullat policore, njësia e hetimeve dhe forenzika e Stacionit Policor në Graçanicë, ndërsa në rast janë përfshirë edhe hetimet rajonale.

Pas marrjes së deklaratës nga pronari i kompanisë dhe kryerjes së ekzaminimeve fillestare në vendngjarje, me urdhër të prokurorit kujdestar është iniciuar rasti “Vjedhje e rëndë”.

Hetimet për identifikimin e autorëve janë duke vazhduar./Sinjali