Një incident është regjistruar dje brenda objektit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ku një person ka përfunduar në ndalim policor nën dyshimet për veprën penale “Kanosja”.
Burime të besueshme nga strukturat e afërta me hetimin bëjnë me dije se Bahri Kastrati dyshohet se ka kanosur palën e kundërt gjatë një procedure ndërmjetësimi që po zhvillohej në zyrat e Prokurorisë.
Sipas informacioneve fillestare, incidenti ka ndodhur në prezencë të zyrtarëve të ndërmjetësimit dhe policëve që ishin në angazhim sekondar në Prokurorinë Themelore.
I dyshuari dyshohet se i është drejtuar palës tjetër me fjalët: “Ka me të kushtu shtrejt qekjo”.
Pas raportimit të rastit, me udhëzim të prokurorit kujdestar është iniciuar rasti për veprën penale “Kanosja”, ndërsa i dyshuari është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës.
Më pas, me vendim të prokurorit, ai është dërguar në ndalim për 48 orë në Qendrën e Mbajtjes në Prishtinë. /Sinjali









