Arjeta Salihu Abazi: Mërgata në Zvicër konfirmoi mbështetjen për bashkimin e së djathtës

Kandidatja për deputete nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Arjeta Salihu Abazi, ka vlerësuar pjesëmarrjen dhe mbështetjen e bashkatdhetarëve në një tubim të mbajtur në Zürich të Zvicrës.

Përmes një postimi në Facebook, Salihu Abazi ka thënë se tubimi u karakterizua nga një atmosferë e jashtëzakonshme dhe pjesëmarrje e madhe e mërgatës shqiptare, duke e cilësuar atë si dëshmi të mbështetjes për vizionin politik që përfaqëson LDK-ja.

Sipas saj, bashkatdhetarët në Zvicër konfirmuan se bashkimi i forcave të djathta politike përbën zgjidhjen e duhur për Kosovën dhe rrugën drejt zhvillimit të vendit.

“Ky mobilizim i jashtëzakonshëm është dëshmi e qartë se ndryshimi i vërtetë po vjen, me vizion të qartë dhe me njerëz që besojnë në të ardhmen e Republikës sonë”, ka shkruar kandidatja e LDK-së.

Salihu Abazi ka shprehur falënderim të veçantë për mërgatën shqiptare në Zvicër për mbështetjen e dhënë, duke theksuar rolin e rëndësishëm që diaspora vazhdon të ketë në proceset politike dhe zhvillimore të Kosovës.

Ajo e ka përmbyllur mesazhin e saj me falënderime për bashkatdhetarët dhe me thirrjen për mbështetje të LDK-së në zgjedhjet e ardhshme.