Rreziku që Aeroporti i Vlorës t’u kalonte rusëve, Valon Ademi: Emisar Pacolli trego sa rubla u pagove

Valon Ademi, pronar i kompanisë “2A Group” që aktualisht administron Aeroportin e Vlorës pasi fitoi këtë të drejtë në gjykatë pas përfshirjes në konflikt gjyqësor me Mabco Constuctions, i ka reaguar akuzave të Behgjet Pacollit në lidhje me aeroportin në jug të Shqipërisë.

Në një reagim të gjatë, Valon Ademi ka akuzuar Behgjet Pacollin për hutim të opinionit publik në lidhje me Aeroportin, por ka shtuar se nuk e ka hutuar atë. Ademi edhe një herë i ka bërë thirrje Pacollit që të sqarojë lidhje me kompani ruse.

Ademi ka thënë se Pacolli është agjent i përdorur për të marrë nën kontroll Aeroportin e Vlorës.

“Emisar, unë e njoh shumë mirë strategjinë tënde, pasi e kuptoj qartë që “ujku do mjegull”. Për këtë taktikë, ti je i shkolluar dhe i trajnuar prej kohësh nga shefat e tu, ndaj dhe strategjinë e mjegullës di ta zbatosh me mjeshtëri. Megjithatë, nëse kjo qasje mund të funksionojë për të hutuar opinionin publik, me mua të ka dështuar”, ka shkruar Ademi në një postim në Facebook.

“Siç ta kam bërë të qartë: me ty, emisar, unë nuk kam asnjë problem sepse ti nuk je as aktor dhe as faktor në këtë mes; je thjesht një agjent i përdorur për të marrë nën kontroll Aeroportin e Vlorës. Lufta ime është me kolegun tënd, Bart Turtelboom, i cili është ekzekutori i skemës financiare dhe juridike për t’ua dorëzuar këtë aset kombëtar shefave tuaj, atje ku i keni”, ka shtuar ai.

Ademi ka thënë se Pacolli e ka kryer detyrën me përpikëri, sipas udhëzimeve, duke aluduar në oligarkë rusë.

“Ti detyrën tënde po e zbaton me përpikëri, sipas udhëzimeve. Ndaj, ti nuk ke faj që unë e refuzova ofertën tënde prej 80 milionë eurosh në shkurt të vitit 2025, për t’ia shitur aeroportin atyre që ti i di mirë. Madje, kur unë e refuzova atë ofertë pikërisht për shkak të asaj që ata përfaqësojnë, ti më the tekstualisht: “Mos u shqetëso, sepse pronar formal do të vazhdoj të figuroj Mabco.””, ka treguar Ademi.

Ademi i ka bërë thirrje Pacollit që të tregojë për marrëveshjen me Compartment Bernina.

“Refuzimi im i prerë atë natë është zanafilla e kësaj situate të cilën po e përballoj edhe sot. “Gabimi” im i vetëm ishte refuzimi për ta shitur Aeroportin e Vlorës atje ku ti kishe marrë urdhër ta dorëzoje”, ka thënë Ademi.

“Deri më sot, shumë detaje i kam mbajtur larg vëmendjes publike, duke pritur që organet kompetente të bëjnë detyrën e tyre, në mos atë ligjore, të paktën atë patriotike. E kam bërë betejën time në heshtje, në respekt të institucioneve. Por, edhe pse ata që duhej të reagonin heshtën, unë nuk do të ndalem, kurrë”, ka thënë biznesmeni nga Kosova.

“Emisar, tregoj shefave të tu, se unë nuk shitem, nuk intimidohem, nuk frikësohem dhe nuk dorëzohem kurrë përballë tyre! Tregoju se paraja e tyre, për mua s’ka asnjë vlerë. Ata mund të blejnë gazetarë, media e portale, por Aeroportin e Vlorës nuk do ta blejnë kurrë”, e ka porositur Ademi.

Sipas pronarit të “2A Group”, ka thënë se Pacolli është i blerë e i komprometuar.

“As ti dhe as propaganda jote me mercenarë e zagarë nuk më intimidon, sepse, në të gjithë këtë proces të Aeroportit të Vlorës, i vetmi njeri i shitur, i blerë dhe i komprometuar je ti”, ka thënë Ademi.

“Dil e tregoju shqiptarëve se kush fshihet pas “Compartment Bernina”. Dil e tregoju me sa rubla u pagove. Dil e tregoju se te gjitha veprimet po i bën vetëm për interes të Compartment Bernina-s, interesa këto që bien ndesh me interesin publik, atëherë mund të marrësh guximin të përmendësh emrin tim”, ka theksuar ai.

“Ti emisar, edhe mashtrimet i bën për të mbuluar atë se çfarë në të vërtetë je, sepse ti nuk je emisar për një mision, por ti je agjent me mision të përjetshëm, sepse ti shpirtin edhe dinjitetin e ke shitur me kohë, e tash vepron me urdhra nga atje ku je shitur!  Turp të qoftë emri Behgjet e mbiemri Pacolli”, ka thënë ai.

Më 18 maj, Paparaci ka raportuar ekzluzivisht se kompania Mabco e Pacollit, është përjashtuar nga projekti i Aeroportit të Vlorës për shkak të shkeljeve të rënda kontraktuale dhe vonesave në punime. Dëmet e shkaktuara ndaj Aeroportit të Vlorës vlerësohen të kenë arritur 4.6 milionë euro.

Kompania në pronësi të biznesmenit dhe ish-ministrit të Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka shkelur marrëveshjen kontraktuale me shoqërinë koncensionare “Vlora International Airport” [VIA], e cila menaxhon Aeroportin e Vlorës.

Vendimin për ndërprerjen e kontratës, Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës (VIA) e mori të enjten më 14 maj, tregon një dokument që e ka siguruar Paparaci.

Dokumenti është një njoftim i VIA drejtuar Mabco-s për ndërprerjen e kontratës.

Sipas njoftimit, punimet për të cilat është kontraktuar “Mabco Constructions” ishin paraparë të përfundonin më 3 shkurt të vitit 2025.

Rreth një vit më vonë, punimet në dorë të “Mabco Constructions” – bashkëaksionare në Aeroportit e Vlorës – nuk janë finalizuar ende. Dhe, dëmet e vlerësuara nga shkelja e kontratës kanë arritur vlerën e mbi 4.6 milionë eurove, vlerëson njoftimi.

“Dëmet për vonesë kanë arritur në 4,290,000 euro më 8 prill 2026 dhe në 4,490,000 euro më 28 prill 2026, ndërsa vlerësimi i përditësuar deri në momentin e ndërprerjes arrin në 4,690,000 euro”, thuhet në njoftimin për ndërprerjen e kontratës.

“Norma ditore e dëmeve për vonesë është 10,000 euro në ditë, dhe këto dëme vazhdojnë të akumulohen deri në përfundimin e punimeve ose zgjidhjen e kontratës”, theksohet në njoftim.

Sipas njoftimit të cilin e ka nxjerrë administratori i Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, Vegim Hoxha, kontrata e Mabco-s për punët ndërtimore ndërpritet “me efekt të menjëhershëm në momentin e pranimit kontraktual të këtij njoftimi.”

“Kontraktori përjashtohet nga kantieri dhe duhet të ndalojë menjëherë të gjitha punimet, përveç atyre të urdhëruara me shkrim për qëllime sigurie dhe dorëzimi”, thuhet në njoftim.

Kjo është arsyeja pse mëngjesi i së hënës nisi me tensione në derën hyrëse të kantierit në Aeroportin e Vlorës.

Punonjës të Aeroportit, shoqërisë që mori me koncension nga shteti ndërtimin dhe menaxhimin e tij, bllokuan hyrjen në kantier të rreth 200 punonjësve të Mabco Constructions dhe nënkontraktorëve të tij.

Zyrtarë të kompanisë Mabco Constructions thanë për mediat se nuk kishin marrë njoftim për bllokimin e hyrjes së punëtorëve, edhe pse njoftimi për ndërprerje të kontratës i ishte nisur atyre para katër ditësh.

Aeroportin e Vlorës, akualisht e administron kompania “2A Group” e biznesmenit kosovar Valon Ademi, e cila fitoi këtë të drejtë në gjykatë pas përfshirjes në një konflikt gjyqësor me Mabco Constructions të Pacollit.

Konflikti ligjor mes aksionarëve të koncensionit, 2A Group dhe MABCO Construction, nisi vitin e kaluar si pasojë e mosmarrëveshjeve mes dy palëve për kuotat e aksioneve.

Para disa muajsh, Gjykata e Tiranës vendosi në favor të kompanisë 2A Group për përjashtimin e ortakut të koncensionit, Mabco Constructions, nga e drejta e votës në bordin e ndërmarrjes.

Ndalimi nga Gjykata i votës së MABCO Construction në VIA Sh.p.k ka derivuar si pasojë e dyshimit të bazuar se ekzistonte rrezik real që Aeroporti i Vlorës të humbiste kontrollin shqiptar përmes një skeme financiare të fshehtë.

Pacolli dhe njerëzit e tij ia dyshohet se ia shiten aksionet e Aeroportit të Vlorës kompanisë “Delphos Securities Sarl”, duke e mashtruar aksionarin tjetër, 2A Group-in e Valon Ademit që fitoi koncensionin për ndërtimin dhe operimin e Aeroportit të Vlorës. /Paparaci.com