Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës, Arben Gega, ka vlerësuar atmosferën dhe mbështetjen e madhe gjatë prezantimit të kandidatëve për deputet të kësaj partie.
Sipas Gegës, mbrëmja e organizuar së bashku me kryetarin e PDK-së dhe kandidatin për kryeministër, Bedri Hamza, dëshmoi energjinë dhe besimin qytetar për ndryshim në vend.
“Sonte, në prezantimin e kandidatëve për deputet të Partisë Demokratike të Kosovës, bashkë me kryetarin e PDK-së dhe kandidatin për kryeministër Bedri Hamza, ndjeva edhe një herë energjinë dhe besimin për ndryshim.
Ishte një mbrëmje që tregoi qartë se Kosovës i duhet një qasje serioze, me njerëz që dinë të marrin përgjegjësi dhe të punojnë për qytetarët”, ka deklaruar Gega.
Në fund të mesazhit të tij, ai ka kërkuar mbështetje për subjektin politik dhe kandidatët e PDK-së në zgjedhjet e ardhshme.
Ndryshe, Arben Gega kandidon për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës me numrin 68 në zgjedhjet e 7 qershorit.









