Nga një muaj paraburgim ndaj shtatë të dyshuarve për kërcënim të votuesve në Graçanicë

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, ua ka caktuar nga një muaj paraburgim shtatë të dyshuarve për kërcënim të votuesve në Graçanicë.

Kjo pasi gjykata e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë duke ua caktuar këtë masë të pandehurve M.D., B.P., Lj.K., M.D., N.R., B.L. dhe S.M.

Ata dyshohen për veprën penale “Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve”.

Në vendimin e Themelores thuhet se paraburgimi është masa e duhur ndaj të dyshuarve, duke marrë për shkas rrezikun e ikjes.

Gjykata gjithashtu ka vlerësuar se nëse të pandehurit lihen në liri, ekziston rreziku që do të përsërisin veprat penale, andaj konstatoi se masa e paraburgimit tani për tani është e vetmja masë për rrjedhjen e pa penguar të procedurës penale në këtë çështje penale.