UNICEF-i, mbështetur financiarisht nga Comodita Home, ka organizuar një trajnim të 30 edukatoreve në Elbasan, me fokus kreativitetin dhe potencialin e fëmijëve.
“UNICEF, me mbështetjen financiare të Comodita Home dhe në bashkëpunim me partnerin zbatues YWCA Albania dhe Bashkinë Elbasan, organizoi një trajnim me 30 edukatore të kopshteve nga Elbasani mbi qasjen Reggio Emilia, të udhëhequr nga Z. Cristian Fabbi, drejtues i Reggio Children”, thuhet një postimin e UNICEF Albania në Facebook.
Edukatoret në këtë trajnim mësuan mënyra praktike për zbatimin e kurrikulës për fëmijët 3–6 vjeç, “duke vendosur në qendër potencialin, kuriozitetin dhe kreativitetin e çdo fëmije”.
“Qasja Reggio Emilia, e zhvilluar nga Loris Malaguzzi, e sheh fëmijën si protagonist të të nxënit dhe vlerëson ;100 gjuhët e fëmijëve’ – mënyrat e shumta përmes të cilave ata shprehen, eksplorojnë dhe mësojnë përmes lojës, artit, muzikës, lëvizjes, natyrës dhe bashkëpunimit”.
“Z. Cristian Fabbi theksoi rëndësinë e mjedisit si ‘mësuesi i tretë’, duke treguar sesi hapësirat e brendshme dhe të jashtme mund të krijohen për të nxitur eksplorimin, krijimtarinë dhe ndërveprimin mes fëmijëve. Ai gjithashtu nënvizoi rolin e edukatoreve për të dëgjuar, mbështetur dhe dokumentuar procesin e të nxënit të fëmijëve, duke u fokusuar tek rrugëtimi dhe jo tek rezultati”.
Në postim thuhet se trajtimi solli reflektime dhe ide që frymëzojnë për mënyrat se si loja dhe materialet e riciklueshme e bëjnë të nxënit më të gëzueshëm dhe kuptimplotë.









