Capello për Guardiolën si trajner të Italisë: Është mësuar t’i blejnë atë që kërkon…

Premier League është më e gjallë se kurrë dhe jo për futbollin. Pas hapit fals të City, e ardhmja e Guardiolës është vënë në pikëpyetje. Trajneri spanjoll nuk dha shumë sinjale pas barazimit ndaj Bournemouth, por debatet për sfidën e tij të ardhshme kanë nisur.

Një nga zërat që ka komentuar është Fabio Capello. Ish-trajneri italian foli për mundësinë që Guardiola, pas largimit nga Manchester City, të marrë drejtimin e një kombëtareje. “Do të ishte diçka e re, por ai është një person inteligjent dhe mund ta kuptojë menjëherë si funksionon”, – deklaroi Capello për “Gazzetta dello Sport”. Megjithatë, ai vuri në dyshim mënyrën e punës së Guardiolës: “Po flasim për një trajner të madh, por për dikë që është mësuar të thotë: Më duhen dy mesfushorë, dhe ata ia blejnë”.

Capello nuk e sheh ideal për Italinë në këtë moment, edhe pse e vlerëson maksimalisht: “Pep është një trajner i madh, me shumë cilësi”. Sipas tij, puna në kombëtare është krejt ndryshe: “Nuk punon çdo ditë dhe pikërisht kjo është vështirësia. Nuk je trajner klubi, je përzgjedhës”. Ndërkohë, Guardiola vazhdon te Manchester City, edhe pse për pasuesin e tij përflitet Enzo Maresca.

The post Capello për Guardiolën si trajner të Italisë: Është mësuar t’i blejnë atë që kërkon… appeared first on Telesport.