“S’na duhen deputetë që kurrë ‘punë mbarë’ s’ju ka thënë kush” – Gega kritikon deputetët e papunë

 

Kandidati për deputet nga PDK-ja, Arben Gega, ka kritikuar ashpër përbërjen e Kuvendit gjatë mandatit të kaluar qeverisës, duke thënë se shumë deputetë kishin hyrë për herë të parë në një vend pune vetëm pasi morën mandatin parlamentar.

Ai tha se mbi 30 deputetë të zgjedhur në legjislaturën e kaluar kishin hapur për herë të parë llogari bankare për të marrë pagën nga Kuvendi i Kosovës.

“Ne e kemi diskutu me njerëz që kemi ndejt, që mbi 30 deputetë kanë hy në punë për herë të parë. Do me thënë kanë çel llogari bankare për herë të parë”, deklaroi Gega.

Sipas tij, Kuvendi ka nevojë për njerëz me përvojë jetësore dhe profesionale, e jo për persona që nuk kanë kaluar procese reale pune jashtë politikës.

“Në Parlament unë besoj që duhen njerëz që janë me përvojë jetësore, e jo do njerëz që ‘punë mbarë’ kurrë kërkush nuk u ka thënë”, u shpreh ai.

Gega tha se mungesa e përvojës në sektorin privat apo publik ndikon drejtpërdrejt në mënyrën se si zhvillohen proceset shtetërore dhe ekonomike.

“Prej atyre nuk mundesh me prit ndonjë zhvillim. Ata nuk e dinë as porën e zhvillimit në sektorin privat edhe në sektor publik se si zhvillohen proceset. Ne jemi shtet kapitalist, si duhet me i shty proceset përpara”, deklaroi kandidati i PDK-së me numër 68, Arben Gega.