Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka publikuar një status me tone ironike dhe mesazhe të nënkuptuara politike, duke përdorur një krahasim të pazakontë për të komentuar zhvillimet e fundit në skenën politike, ndonëse nuk ka përmendur askënd me emër.
Përpos thumbimit me një thënie të vjetër popullore, që thotë “Mos e nguc as mos e rreh këlyshin se kur të rritet, do të hakmerret”, ai ka ironizuar edhe me fjalimet e politikanëve, duke lënë të kuptohet se ato po shkruhen me Inteligjencë Artificiale.
Lladrovci tha se kishte pyetur “autorin e shumë deklaratave të politikanëve tanë” nëse një qen i keqtrajtuar si këlysh hakmerret kur rritet. Në përgjigjen e publikuar nga Lladrovci, që supozohet ta ketë marrë nga ChatGPT, thuhet se qentë e keqtrajtuar zhvillojnë frikë kronike, agresivitet mbrojtës, mosbesim dhe reagime të paparashikueshme për shkak të traumave të hershme.
“Pra, kur një qen i rritur sulmon ose kafshon ish-keqtrajtuesin, zakonisht kjo lidhet me traumën dhe frikën e mësuar, jo me një plan të vetëdijshëm për hakmarrje”, thuhet në përgjigjen që ai ndau në rrjetet sociale.
Në fund të postimit, Lladrovci lëshon edhe një mesazh të shkurtër: “Kah jeni nisë o trima”.









