Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka bërë të ditur se edhe në Legjislaturën e Dhjetë të Kuvendit të Kosovës është vlerësuar si deputeti më aktiv, sipas raportit monitorues të publikuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.
Tahiri ka theksuar se rikthimi i mandatit dhe besimi i qytetarëve, sipas tij, janë reflektuar në punë të vazhdueshme parlamentare, duke shtuar se edhe më herët, në Legjislaturën e Tetë, kishte qenë deputeti më aktiv.
“Legjislatura e Dhjetë është vazhdim i një angazhimi të dëshmuar ndër vite. Në katër vite radhazi, besimi qytetar është kthyer në punë, përkushtim dhe përfaqësim dinjitoz,” ka deklaruar Tahiri.
Ai ka shtuar se edhe në aktivitetet e grupit parlamentar, AAK del me mesatare të lartë të fjalimeve për deputet, krahasuar me grupet më të mëdha parlamentare, duke theksuar se aktivizmi nuk lidhet me numrin e deputetëve, por me vullnetin për përfaqësim.
“Besimi i qytetarëve duhet ruajtur, sepse është i shenjtë,” ka përfunduar Tahiri.









