Një sulm me makinë-bombë ndaj një poste policore në veriperëndim të Pakistanit, i pasuar nga një pritë ndaj forcave policore që po nxitonin drejt vendit të ngjarjes, ka lënë të vrarë të paktën 14 policë, njoftuan autoritetet të dielën.
Pamjet pas sulmit të së shtunës treguan se objekti ishte shkatërruar pothuajse tërësisht, ndërsa tulla, mbetje të djegura dhe automjete të dëmtuara rëndë ishin shpërndarë në gjithë zonën, shkruan Reuters, përcjell Klankosova.tv.
Zyrtari i policisë, Sajjad Khan, deklaroi se trupat e 14 efektivëve u nxorën nga rrënojat e postës policore të shembur, ndërsa tre pjesëtarë të tjerë u gjetën gjallë dhe u dërguan me urgjencë në spital.
Një tjetër zyrtar policor, i cili foli në kushte anonimiteti pasi nuk ishte i autorizuar të komunikonte me mediat, tha se militantët fillimisht përplasën një automjet të mbushur me eksploziv në postën policore. Më pas ata hynë në objekt dhe hapën zjarr ndaj çdo polici që kishte mbetur aty.








