Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, ka deklaruar se AAK-ja po dëshmon në terren se mbetet forca e vetme politike që, sipas tij, arrin të bashkojë vullnetin e qytetarëve me vizionin për një Kosovë të fortë dhe me dinjitet.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Gjini ka njoftuar se aktivitetet zgjedhore të Aleancës kanë vazhduar gjatë ditës në disa qytete të Kosovës, nga Peja në Gjilan, Dardanë dhe Artanë.
Ai ka bërë të ditur se Kuvendi Zgjedhor i fundit për këtë ditë është mbajtur në Artanë, ku është zgjedhur kryesia e re e degës dhe është rikonfirmuar Ajet Avdyli në postin e kryetarit.
Gjini e ka vlerësuar Avdylin si një figurë të përkushtuar ndaj çështjes kombëtare, duke theksuar kontributin e tij shumëvjeçar në diasporë dhe angazhimin e njohur në vendlindje.
“Ajet Avdyli është mishërim i përkushtimit për çështjen kombëtare, si në diasporë ku për dekada ka jetuar e vepruar në shërbim të komunitetit shqiptar, ashtu edhe në vendlindje, ku angazhimi i tij është i njohur dhe i vlerësuar”, ka shkruar Gjini.
Sipas tij, me struktura të tilla, AAK-ja në Artanë mbetet e konsoliduar dhe e gatshme për sfidat politike që e presin në periudhën e ardhshme.
Në fund, ai ka uruar Avdylin dhe strukturat e reja të degës për zgjedhjen e tyre.









