“Albin Kurti dhe VV-ja nuk mund t’i lajnë duart nga kjo”, OVL-UÇK-së i reagon ashpër Bashës

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka reaguar ashpër ndaj ministrit në detyrë, Dimal Basha, pas publikimit të një fotografie nga zyra e tij, për të cilën pretendon se cenon simbolikën e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës.

Përmes një reagimi publik, OVL e UÇK-së e ka cilësuar fotografinë si “rrëfim politik”, duke akuzuar Bashën për përdhosje të një dokumenti që, sipas tyre, është vulosur me sakrificë, gjak, burgime, mërgim dhe luftë.

Sipas veteranëve, nuk bëhet fjalë për një gabim protokollar, por për një qëndrim të vazhdueshëm politik.

Ata kanë rikujtuar të kaluarën publike të Bashës, duke e akuzuar se më herët kishte nënshkruar shkrime që, sipas tyre, shpifnin ndaj UÇK-së dhe e etiketonin atë si kriminale.

Në reagim kritikohet edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe Lëvizja Vetëvendosje, për të cilët thuhet se kanë “normalizuar armiqësinë ndaj themeleve të Republikës”, duke promovuar figura që, sipas OVL-së, nuk janë pajtuar asnjëherë me pavarësinë e Kosovës.

“Arroganca e tyre ndaj Luftës Çlirimtare është kthyer në arrogancë ndaj vetë shtetit”, thuhet në reagim.

OVL e UÇK-së ka kërkuar nga Prokuroria e Shtetit që të nisë hetime lidhur me rastin, ndërsa i ka bërë thirrje Dimal Bashës të sqarojë rrethanat e këtij veprimi.

Po ashtu, organizata ka kërkuar përgjegjësi politike edhe nga Albin Kurti, duke e akuzuar për instalim të një kulture që e cilëson si antishtetërore brenda qeverisë.