Shqipe Neziri Vela merr çmimin “Evropiania e Vitit 2026”

Në prag të Ditës së Evropës që shënohet më 9 Maj, Bashkimi Evropian në Kosovë ia ka ndarë çmimin “Evropiania e Vitit”, Shqipe Neziri Velës për kontributin e saj në avancimin e barazisë gjinore, fuqizimin e grave dhe qeverisjen e qëndrueshme në sektorin e energjisë në Kosovë dhe më gjerë.

Në njoftimin e BE-së në Kosovë thuhet se Shqipe Neziri Vela është një profesioniste me përvojë mbi 20 vjeçare në sektorin e energjisë, qeverisje të mirë dhe luftën kundër korrupsionit.

Si bashkëthemeluese e organizatës “Gratë në Energji dhe Miniera”, ajo ka luajtur rol kyç në ofrimin e programeve të mentorimit dhe trajnimit për qindra studente dhe profesioniste në hapat e parë të karrierës dhe përgjatë rrugëtimit të tyre profesional, duke krijuar një gjeneratë të re lidere në sektorë historikisht të dominuar nga burrat, si dhe duke kontribuar në transformimin e sektorit të energjisë në Kosovë në përputhje me standardet e BE-së.

Ajo ishte një nga katër individët e shquar dhe organizatat e mirënjohura të nominuara nga publiku i Kosovës, përfshirë Avni Mustafa, Drejtor i Roma Versitas Kosova, Dejan Radivojeviq, Drejtori i Forumit për Zhvillim dhe Bashkëpunim Multi-Etnik, dhe Prof. Asst. Rozafa Basha, Prorektore për Ndërkombëtarizim dhe Shkëmbim Akademik në Universitetin e Prishtinës.

Çmimi i BE-së “Evropiani/a i/e Vitit” nderon individë që mishërojnë vlerat evropiane dhe kontribuojnë në të ardhmen demokratike të Kosovës.

Paneli shqyrtues i nominimeve, i cili e përzgjodhi Shqipen si fituese, ishte i përbërë nga anëtarë të organizatave të shoqërisë civile dhe të prezencës së BE-së në Kosovë.