Osmani prezanton kandidaten re për deputete

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur mbështetjen e saj për Arjeta Musliun, duke e cilësuar si një grua që e ka shndërruar dhimbjen personale në mision për të ndihmuar familjet që përballen me varësinë nga substancat narkotike.

Përmes një postimi publik, Osmani tha se historia e Musliut “nuk u formësua nga politika, por nga dhimbja”, duke vlerësuar angazhimin e saj në mbështetje të familjeve dhe të rinjve që përballen me këtë sfidë.

“Kjo është Arjeta Musliu. Një grua që nuk vjen në këtë rrugëtim për veten e saj, por për çdo nënë që zgjohet çdo ditë me frikën për fëmijën, për çdo motër e vëlla që nuk pranon të dorëzohet, për çdo familje që ka përjetuar dhimbjen e varësisë nga substancat narkotike, për çdo të ri që ka nevojë për një dorë që e nxjerr nga errësira”, ka shkruar Osmani.

Presidentja kujtoi se Musliun e kishte dekoruar në vitin 2021 me Urdhrin Presidencial “Shote Galica”, duke e cilësuar këtë si një vlerësim për kontributin e saj.

“Arjetën e kemi mbështetur dje. E mbështesim sot. Dhe do ta mbështesim gjithmonë”, shkroi ajo.

Sipas Osmanit, Arjeta Musliu do të jetë “zëri i kësaj kauze në Kuvendin e Kosovës”, ndërsa postimin e mbylli me mesazhin: “E dashur Arjeta, mirë se vjen!”.