Përfundimisht është hapur rruga për bashkimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ish-presidentes Vjosa Osmani.
Të shtunën në orën 12:00, LDK-ja do ta mbajë mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm ku pritet t’i jept formalisht drita e gjelbër këtij bashkëpunimi.
Ky subjekt do ta nominojë kandidatin për kryeministër si dhe për president.
E kjo ishte një nga kryetemat e këtij edicionit në Rubikon të Klan Kosovës.
Ish-deputetja Jehona Lushaku-Sadriu, dha detaje rreth kësaj marrëveshje.
Lushaku-Sadriu tha se ky bashkëpunim është i shëndetshëm.
“Kemi në parim një darkordim për ecje përpara me zonjën Osmani. Nuk bëhet asgjë pa qenë e dyanshme, ka pasur takime… ka pasur diskutime se si shihet ky vizion edhe kjo do të bëhet e ditur edhe në Këshillin tonë të përgjithshëm”, deklaroi ajo në Klan Kosova.
Ajo shtoi se ka shumë kërkesa për t’iu bashkangjtur LDK-së dhe kjo parti do ta ketë të vështirë ta mbyllë listën me 110-të kandidatë për zgjedhjet e 7 qershorit.
Nderkaq, anëtari i Kryesisë së LDK-së, Visar Azemi, ka dhënë detaje në lidhje me bashkëpunimin e LDK-së me ish-presidenten Vjosa Osmani.
Në Rubikon të Klan Kosova, ai tha se kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku, ka punuar me strukturat e partisë, me të gjithë njerëzit që dikur kanë qenë në LDK, të cilët ai i quajti “votues të fjetur”.
“Ky angazhim i jashtëzakonshëm që është bërë… ne nuk po flasim për ardhjen e tyre, por për kthimin e elektoratit, e strukturës së madhe, për këtë përbashkimin e madh të LDK-së, tani ka ardhur një moment i cili po e bën këtë organizim të jashtëzakonshëm, dhe me hy me pa te secili votues te strukturat e shtëpitë tona se çfarë po ndodhë në të vërtetë, është i jashtëzakonshëm”, deklaroi ish-deputeti Azemi.
Ndër të tjera, ai tha se bashkëpunimi me Osmanin nuk është koalicion klasik.
“Nuk ka koalicion klasik. Zonja Osmani, bashkë me ekipin e saj, do të jetë pjesë e listës së LDK-së. E keni parasysh që numri më i madh i tyre kanë qenë në LDK, dhe po kthehen në LDK, po kthehen te shtëpia e tyre për t’u përbashkuar në qëllimin e madh që e ka LDK-ja në mbrojtje të Republikës”, shtoi Azemi.









