Petrit Hajdari largohet nga dega e PDK-së në Drenas

Ish-kandidati i PDK-së për kryetar të Drenasit, Petrit Hajdari, ka njoftuar se ka vendosur ta lirojë degën e partisë në këtë komunë.

Hajdari shkroi se kjo u bë me kërkesë të Bedri Hamzës dhe se nuk dëshiron t’u bëhet “pengesë proceseve të nevojshme”.

“Të dashur qytetarë të Drenasit dhe mbështetës të PDK-së, Në Degën e PDK-së në Drenas kemi korrur sukses të jashtëzakonshëm në zgjedhjet e fundit nacionale, duke dalë dega më e fuqishme e PDK-së. Me besimin se duke e çuar përpara PDK-në e çojmë përpara Kosovën, angazhimi ka qenë i përhershëm e i përditshëm. Megjithatë, duke mos dashur t’i bëhem pengesë proceseve të nevojshme, me kërkesë të kryetarit të PDK-së Bedri Hamza, kam vendosur sot ta liroj degën e PDK-së në Drenas dhe ta fokusoj kontributin në kryesinë qendrore”, shkroi ai në një postim në Facebook.