Arrestohet prizrenasi që ishte në kërkim pas dënimit me burg efektiv

Policia e Kosovës ka njoftuar se e ka arrestuar një person në Prizren, i cili ishte në kërkim pasi ishte i dënuar me 1 vit burgim efektiv.

Ky dënim, atij i ishte shqiptuar për veprën penale të vjedhjes së rëndë në tentativë.

“Me datën 29.04.2026, policët e Njësisë për Realizimin e Urdhëresave të Stacionit Policor Prizren, pas veprimeve operative–hetimore dhe duke vepruar sipas një plani taktik-operativ, kanë arritur të lokalizojnë dhe të arrestojnë të dyshuarin N. R. mashkull nga Prizreni. I njëjti ka qenë në kërkim pasi ishte i dënuar një (1) vit  burg efektiv me vendim të plotfuqishëm të Gjykatës Themelore të Prizrenit.”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, i arrestuari N. R. fillimisht është sjellë në Stacionin Policor në Prizren dhe më pas është dërguar në burg për vuajtjen e dënimit.