Pritja për gjysmëfinalen e kthimit të Champions League mes Bayern Munich dhe PSG ka ndezur tashmë entuziazmin e tifozëve. Pas spektaklit 5-4 në ndeshjen e parë, të paktën 3.700 tifozë parizienë priten në “Allianz Arena” për sfidën vendimtare, të planifikuar për mbrëmjen e së mërkurës.
Biletat e sektorit të miqve u shitën brenda pak kohe, të shtyra edhe nga emocionet e ndeshjes së parë. Për ata që mbetën jashtë, situata është bërë e papërballueshme, çmimet në tregun e zi janë rritur ndjeshëm, duke nisur nga rreth 1.400 euro deri në 8.000 euro.
“Më vjen për të qarë. I kisha kontrolluar çmimet para ndeshjes së parë dhe ishin shumë më të përballueshme, tani është e pamundur”, – tregon një tifoz i PSG pa biletë. Një tjetër shton: “E bleva të hënën. Do ta bëj vajtje-ardhje brenda ditës nga Parisi. Dhjetë orë udhëtim, por ia vlen”.
Ka edhe tifozë më të organizuar: “Shpresoj të fitojmë më në fund në Mynih, pas humbjeve të viteve të fundit”. Ndërkohë, disa kanë nisur të kërkojnë fluturime për Budapest.
The post Bayern Munich-PSG, nisin “ethet” për bileta. Në tregun e zi rishiten deri në 8.000 euro appeared first on Telesport.









