Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza ka deklaruar se Kosova ndodhet përball një akti të rrezikshëm për të ardhmen e saj.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Hamza ka thënë se përpjekja për zgjedhjen e presidentit në mënyrë të njëanshme dhe me shkelje flagrante të Kushtetutës është sulm ndaj shtetit të së drejtës.
“Sot jemi përballë një akti të rrezikshëm për të ardhmen e shtetit tonë. Përpjekja për zgjedhjen e Presidentit në mënyrë të njëanshme dhe me shkelje flagrante të Kushtetutës është sulm ndaj shtetit të së drejtës, që minon rendin tonë demokratik”, ka thënë Hamza.
Partia Demokratike e Kosovës e kundërshton çdo tendencë politike për t’i shpërfillur procedurat kushtetuese.
“Ne nuk do të lejojmë që një subjekt politik ta shfrytëzojë pushtetin për të injoruar vullnetin e qytetarëve dhe për t’i dobësuar institucionet legjitime të vendit tonë”, ka thënë kryetari i PDK-së.
“Veprimet e tilla ua mohojnë qytetarëve të drejtën për të vendosur për të ardhmen e tyre dhe rrezikojnë ta çojnë vendin drejt një anarkie politike, e cila mund ta destabilizojë shtetin tonë të ri”, ka thënë ai.
Sipas tij, Kosova është ndërtuar mbi vlerat e lirisë, drejtësisë e barazisë dhe nuk do të lejojmë që këto vlera të cenohen përmes abuzimit me pushtetin apo shkeljes së Kushtetutës.
“Partia Demokratike e Kosovës do të qëndrojë gjithmonë në mbrojtje të Kushtetutës, institucioneve dhe shtetit të së drejtës. I bëjmë thirrje edhe qytetarëve që të jenë të vëmendshëm dhe të mos lejojnë shkelje që dëmtojnë të ardhmen e vendit”, ka thënë Hamza.
“Nuk mund të ecet përpara duke shkelur Kushtetutën dhe ligjet. Ne do ta mbrojmë shtetin dhe të ardhmen e tij”, ka theksuar ai.









