“Mandati i deputetit është i lirë”, Miftaraj zbulon skenarin e Haxhiut për çështjen e presidentit

Ehat Miftaraj nga IKD-ja ka thënë se kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu është duke bërë përpjekje për të krijuar kuorum artificial dhe të pabazuar në Kushtetutë dhe praktika të Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjen e presidentit.

Sipas tij, këto janë pretendime të bazuara në interesa puro partiake.

“Pretendimet e bazuara ne interesa puro partiake për një detyrim kushtetues të deputetëve që të qëndrojnë në seancë plenare gjatë procedurës së zgjedhjes së Presidentit janë fiktive dhe të pabazuara”, ka thënë Miftaraj.

“Mandati i deputetit është i lirë. Nuk mundet Albulena Haxhiu e as LVV qe te kushtezoj apo imponoj kërkesa për “leje” nga Kryetari i Kuvendit per te munguar nga seanca ne Kuvend”, ka thënë ai.

“Kjo eshte e tejkaluar dhe nuk ka baze kushtetuese. Çdo përpjekje për ta paraqitur mungesën e deputetit si shkelje procedurale që ndikon në vlefshmërinë e procesit përbën interpretim të pabazuar të kompetencave parlamentare. Kjo nuk I hap në asnjë rrethanë rruge Albilena Haxhiut apo LVV zgjedhjen e Presidentit pa 80 vota ne kutine e votimit ne roundin e pare dhe te dyte”, ka sqaruar Miftaraj.

Sipas tij, procedura për zgjedhjen e Presidentit duhet të respektojë jo vetëm tekstin, por edhe frymën e Kushtetutës, siç është interpretuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Ndërsa Kushtetuta parasheh që në raundin e tretë Presidenti mund të zgjidhet me shumicë të thjeshtë prej 61 votash.

“Çdo skenar që synon të prodhojë kuorum artificial apo të instrumentalizojë mungesën e opozitës për të justifikuar një zgjedhje me shumicë te thjeshte ne rundin e pare cenon rendin kushtetues per interesa puro partiake me qellim qe rasti te shkoj ne Gjykate Kushtetuese dhe shtyrjen e dates se zgjedhjeve sipas interesave te LVV dhe kur ata e shohin te arsyeshme dhe kur ata mendojne se mund ta kapitalizojnë vullnetin e votuesit ne vote per VV”, ka thënë ai.