Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka reaguar ashpër lidhur me debatet për zgjedhjen e Presidentit, duke e cilësuar situatën si serioze dhe jo temë për improvizime politike.
Me anë të një shkrimi në Facebook, Çitaku theksoi se çështja e Presidentit nuk është për diskutim nëse i duhet apo jo vendit, pasi sipas saj, bëhet fjalë për një obligim kushtetues dhe shtetëror të Kosova.
Ajo nënvizoi se PDK ka qenë e qartë që nga fillimi, duke ofruar, siç tha, opsione konkrete për zgjidhjen e situatës.
Nënkryetarja e Kuvendit, akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje për mungesë serioziteti në trajtimin e këtij procesi.
Sipas saj, qasja e LVV-së është karakterizuar nga veprime që nuk kontribuojnë në ndërtimin e institucioneve, duke përmendur “vizita turistike” jashtë vendit dhe një qëndrim që ajo e cilësoi si tallës dhe përçmues ndaj procesit të zgjedhjes së Presidentit.
“Kjo nuk është mënyrë për të ndërtuar institucione. Nuk duan zgjidhje, por duan nënshtrim. Nuk kërkojnë konsensus, por prodhojnë krizë,” thuhet në reagimin e Çitakut.
Deklarata vjen në një kohë kur çështja e zgjedhjes së Presidentit vazhdon të jetë një nga temat kryesore politike në Kosovë, mes thirrjeve për konsensus dhe akuzave të ndërsjella ndërmjet partive politike.








