Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri ka njoftuar për vizitën që ambasadori amerikan në NATO, Matthew Whitaker, ka zhvilluar në Tiranë.
Në njoftim theksohet se Whitaker ka përcjellë mesazhin e “fortë” të presidentit amerikan Donald Trump, lidhur me “zhvendosjen e barrës së mbrojtjes së NATO-s”, duke nënvizuar nevojën për ndarje më të balancuar të përgjegjësive mes aleatëve.
Po ashtu, në postim theksohet se Shqipëria është një aleate e palëkundur e NATO-s, një lidere rajonale në sigurinë kibernetike, si dhe një anëtare themeluese e Bordit të Paqes, duke vlerësuar rolin e saj në stabilitetin dhe sigurinë ndërkombëtare.
“Ambasadori i Shteteve te Bashkuara në NATO, Matthew Whitaker, vizitoi sot Shqipërinë, duke përcjellë mesazhin e fortë të Presidentit Trump mbi zhvendosjen e barrës së mbrojtjes së NATO-s në takimet me Kryeministrin Edi Rama, Ministrin e Mbrojtjes Ermal Nufi dhe Ministrin e Financave Petrit Malaj. Shqipëria ka qenë një aleate e palëkundur e NATO-s, një lidere rajonale në sigurinë kibernetike dhe një anëtare themeluese e Bordit të Paqes. Ne mund të bëjmë edhe më shumë me zbatimin e plotë nga Shqipëria të angazhimit prej 5% të PBB-së për Shpenzimet e Mbrojtjes sipas Konventës së Hagës”, u tha në njoftimin e Ambasadës.









