Guardiola tek Italia? Paga shihet si pengesë, por sponsorët mund ta bëjnë të mundur

Ndonjëherë distanca mes ëndrrës dhe realitetit mbulohet nga çeku me shumë zero. Për Italinë, Pep Guardiola do të ishte një investim i madh, por buxheti i federatës nuk krahasohet me atë të Manchester City (24.8 milionë euro bruto, rreth 14 plus bonuse neto). As me trajnerët e mëdhenj të kombëtareve. Carlo Ancelotti rinovoi me Brazilin deri më 2030 për rreth 10 milionë, plus 5 bonuse për Botërorin.

Megjithatë, ideja Guardiola ka bazë, siç tha Leonardo Bonucci: “Do të nisja nga Guardiola, është njeriu i duhur për Italinë. E di që nuk është e lehtë, por të ëndërrosh nuk kushton”. Problemi është kostoja, por ekziston një precedent: më 2014, sponsori mbuloi gjysmën e pagës së Antonio Conte (4.1 milionë). I njëjti brand, “Puma”, sponsorizon edhe Guardiolën.

Me një projekt serioz dhe mbështetje sponsorësh, marrëveshja mund të bëhet. Italia synon të rilindë përmes një figure historike të futbollit modern. Pas Conte, trajneri më i paguar ishte Roberto Mancini me 3 milionë neto. Jashtë vendit, trajnerë si Thomas Tuchel, Julian Nagelsmann dhe Didier Deschamps paguhen më shumë, ndërsa Lionel Scaloni (2 mln) dhe Luis de la Fuente (1.2 mln) mbeten në nivele më normale.

 

The post Guardiola tek Italia? Paga shihet si pengesë, por sponsorët mund ta bëjnë të mundur appeared first on Telesport.