Oficeri i FSK-së vlerësohet me mirënjohje të veçantë në Britani

Forca e Sigurisë së Kosovës ka njoftuar se nëntoger Endi Sherifi ka përfunduar me sukses një nga trajnimet më sfiduese të këmbësorisë në Ushtrinë Britanike, PCBC (Platoon Commander Battle Course), i zhvilluar në Brecon, Uells, në Mbretërinë e Bashkuar.

Gjatë këtij kursi intensiv, siç ka bërë të ditur FSK përmes një postimi në Facebook, ai ka demonstruar përkushtim të lartë, profesionalizëm dhe aftësi të shkëlqyera udhëheqëse.

Si rezultat i performancës së tij, Nëntoger Sherifi është vlerësuar me Mirënjohje të Veçantë nga Komandanti i Shkollës së Këmbësorisë, e cila iu dorëzua nga Shefi i Shtabit të Forcave Tokësore, Gjeneralmajor Carl Boswell.

“Forca e Sigurisë së Kosovës është shprehur krenare për arritjet e pjesëtarëve të saj, të cilët vazhdojnë të përfaqësojnë denjësisht vendin në arenën ndërkombëtare dhe të ngrenë standardet profesionale të forcës”, thuhet në postim.