Serbia edhe më tutje glorifikon kriminelin e luftë Ratko Mlladiq

Mediumi Deutsche Welle ka bërë një analizë të gjatë mbi debatet dhe reagimet në Serbi rreth figurës së Ratko Mlladiqit, i dënuar për krime lufte dhe gjenocid nga gjykatat ndërkombëtare, si dhe mënyrën se si ai vazhdon të trajtohet në diskursin publik dhe politik në vend.

Në qendër të diskutimit është kritika e organizatës Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut ndaj kryetarit të Beogradi, Aleksandar Shapiq, për postime dhe deklarata që e paraqesin Mlladiqin në mënyrë pozitive. Organizata e konsideron këtë si shkelje të Ligjit për ndalimin e diskriminimit dhe argumenton se lavdërimi i një personi të dënuar për krime të rënda ndërkombëtare përbën gjuhë urrejtjeje ndaj viktimave dhe komuniteteve të prekura nga luftërat në Bosnjë dhe Hercegovinë, transmeton Paparaci.

Në tekst theksohet gjithashtu se në Serbi ekzistojnë mbi 300 grafite dhe murale kushtuar Ratko Mlladiqit, shumica e tyre në Beograd. Edhe pse disa prej tyre janë hequr, shumë të tjerë vazhdojnë të jenë të pranishëm në hapësirën publike, përfshirë edhe në zona të afërta me shkolla. Kjo, sipas aktivistëve, tregon për një fenomen të gjerë shoqëror dhe jo vetëm incidente të izoluara.

Një tjetër figurë e përmendur në debat është edhe Dragolub (Drazha) Mihailloviq, ish-komandant i çetnikëve, për të cilin janë shfaqur iniciativa për vendosjen e monumenteve, gjë që ka shtuar polemikat rreth mënyrës së trajtimit të figurave historike të kontestuara në Serbi.

Teksti përfshin edhe kritika ndaj mediave dhe institucioneve, duke pretenduar se raportimi për gjendjen shëndetësore të Mlladiqit shpesh bëhet pa kontekstin e dënimeve të tij dhe krimeve për të cilat është shpallur fajtor. Sipas vëzhgimeve të Iniciativës, disa media nuk e përmendin fare vendimin gjyqësor, duke lënë mungesë të informacionit thelbësor për publikun.

Në këtë kontekst përmenden edhe deklarata të disa zyrtarëve të lartë serbë, përfshirë Ivica Daçiqin dhe Nenad Vujiqin, të cilët kanë shprehur qëndrime ose shqetësime për gjendjen e Mlladiqit, si dhe kanë kërkuar trajtim mjekësor apo lehtësime për të.

Po ashtu, në tekst citohet edhe Aleksandar Vuçiqi, i cili është shprehur se nuk mund të komentojë drejtpërdrejt për Mlladiqin, duke lënë gjykimin historisë.

Në fund, Iniciativa e të Rinjve bën thirrje për dënimin e glorifikimit të kriminelëve të luftës nga ana e institucioneve të Beogradit dhe paralajmëron dorëzimin e një ankese zyrtare te Komisioneri për Mbrojtjen e Barazisë kundër kryetarit të qytetit. Sipas tyre, kjo çështje nuk është vetëm juridike, por edhe thellësisht shoqërore dhe morale, pasi lidhet me mënyrën se si kujtohen dhe interpretohen krimet e luftës në hapësirën publike në Serbi./Paparaci.com