Në seancën e Kuvendit të Kosovës, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka ngritur shqetësime serioze për gjendjen e sektorit energjetik në vend, duke e cilësuar pasigurinë energjetike si kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj sovranitetit dhe pavarësisë së Kosovës.
Tahiri theksoi se, vendimet e qeverisë aktuale kanë prodhuar pasoja të rënda në këtë sektor jetik. Ai përmendi anulimin e investimit strategjik amerikan për termocentralin “Kosova e Re” nga kompania ContourGlobal, duke shtuar se Kosova ka humbur edhe rastin në arbitrazh si pasojë e këtij vendimi.
Sipas tij, është anuluar edhe projekti i gazsjellësit amerikan, ndërsa alternativat janë zëvendësuar pa transparencë publike, duke përmendur investimet në bateri pa raportim të qartë institucional.
Deputeti i AAK-së shtoi se gjatë kësaj qeverisjeje, çmimi i energjisë elektrike është rritur deri në tri herë, duke rënduar drejtpërdrejt jetën e qytetarëve. Po ashtu, ai ngriti dyshime për dhënien e qindra tenderëve njëburimor në KEK, për të cilat tha se tashmë janë subjekt hetimi në prokurori.
Në fjalën e tij, Tahiri vuri në pah edhe rolin e AAK-së ndër vite në sektorin energjetik. Ai kujtoi projektin strategjik energjetik prej rreth 2100 MW të iniciuar në kohën e Ethem Çeku, si dhe nënshkrimin e kontratës me ContourGlobal për ndërtimin e kapaciteteve të reja.
Sipas tij, gjatë qeverisjes së Ramush Haradinaj, është arritur të sigurohet pavarësia energjetike e Kosovës, ndërsa në kohë krize është rikthyer prodhimi i energjisë në KEK, në një periudhë kur, siç tha ai, prodhimi kishte rënë në zero.
Në përfundim, Tahiri bëri thirrje për transparencë, përgjegjësi institucionale dhe rikthim të fokusit në projekte strategjike që garantojnë sigurinë energjetike dhe zhvillimin ekonomik të vendit.









