Tryeza Ndërfetare në Kosovë thekson bashkëjetesën si vlerë dhe domosdoshmëri shoqërore

Tryeza e Dialogut Ndërfetar “Bashkëjetesa ndërfetare ndër ne, virtyt hyjnor apo domosdoshmëri shoqërore?”, e cila u mbajt sot mblodhi përfaqësues institucionalë, fetarë dhe të shoqërisë civile me synim forcimin e bashkëpunimit, mirëkuptimit dhe harmonisë ndërmjet komuniteteve në Kosovë.

Në këtë tryezë u theksua rëndësia e dialogut si një mekanizëm i domosdoshëm për ruajtjen e paqes dhe për kultivimin e vlerave të përbashkëta në një shoqëri multietnike dhe shumëfetare, raporton Ekonomia Online.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, theksoi rëndësinë historike dhe aktuale të bashkëjetesës ndërfetare në vend.

“Në Kosovë bashkëjetesa ndërfetare nuk është vetëm një aspiratë moderne por edhe traditë historike e ndërtuar ndër shekuj mbi respektin dhe bashkëjetesën. Ajo mbetet një vlerë themelore shoqërore e cila ka kontribuar në ruajtjen e kohezionit dhe të stabilitetit, duke dëshmuar që diversiteti apo lloj-llojshmëria nuk është burim ndarjeje por pasuri e përbashkët që duhet ruajtur dhe kultivuar për brezat që vijnë pas nesh.

Në këtë drejtim, Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndërmarrë hapa konkretë për mbrojtjen, ruajtjen dhe promovimin e vlerave kulturore dhe fetare në të gjithë vendin tonë për të gjitha komunitetet pa përjashtuar asnjë qytetar.

Janë restauruar dhe vazhdojnë të restaurohen xhami, hamame, teqe, kisha katolike dhe ortodokse, qendra kulturore hebrenje, si dhe monumente të tjera me vlerë historike duke u kthyer në hapësira të gjalla të kujtesës, besimit dhe dialogut ndërmjet komuniteteve. Aty ku njerëzit bëhen bashkë, aty ata do të kenë gjithmonë pranë qeverinë.

Po ashtu janë ndërmarrë masa të vazhdueshme për funksionalizimin e këtyre objekteve në mënyrë që ato t’u shërbejnë besimtarëve dhe komunitetit të gjerë duke forcuar njëkohësisht komunikimin dhe bashkëjetesën ndërfetare në vendin tonë. Besoj që e keni vërejtur që po thonë bashkëjetesë e jo tolerancë, për shkak se ne jemi përtej tolerancës. Jemi te bashkekzistenca, jemi te bashkëveprimi, te bashkëpunimi, te bashkërendimi, pra jemi te bashkëjetesa e komuniteteve fetare të ndryshme“, tha Kurti.

Presidenti i Fondacionit “Drita”, Zef Gashi, u ndal te domethënia e dialogut ndërfetar dhe roli i tij në ndërtimin e unitetit në dallime.

“Dialogu ndërfetar: Virtyt hyjnor apo domosdoshmëri shoqërore? Kjo pyetje nuk është vetëm teorike apo akademike; ajo prek në palcë zemrën e bashkëjetesës sonë si shoqëri dhe si popull. Sepse ku feja takohet me jetën, aty lind nevoja për dialog, për dëgjim, për mirëkuptim dhe për bashkëpunim.

Shpresoj se kjo ditë bashkëpunimi vëllazëror, miqësie dhe dialogu mbi të përbashkëtat, si edhe të ndryshmet mes nesh, të jetë një hap i rëndësishëm drejt forcimit të unitetit tonë në dallime dhe drejt lulëzimit të bashkëmirëkuptimit mes nesh. Sepse uniteti i vërtetë nuk është njëtrajtshmëri, por harmoni në shumë llogari.

Synimi ynë, pra, mbetet i njëjtë: të forcojmë të përbashktën pa cenuar të ndryshmen. Kjo është një sfidë e vazhdueshme, por edhe një thirrje e bukur që na fton të rritemi si individë dhe si bashkësi. Sepse vetëm duke ruajtur identitetin tonë dhe duke respektuar identitetin e tjetrit, mund të ndërtojmë një bashkëjetesë të qëndrueshme dhe të sinqertë, të qëndrueshme.

Është nder dhe privilegj i veçantë që këtë vit jemi mbledhur në ambientet e Bashkësisë Islame të Kosovës, e cila me bujarinë dhe mikpritjen e saj dëshmon se janë të fjalës. Pasi në konferencën e vitit të kaluar, ku nikoqire ishte Kisha Katolike, premtuat se kësaj radhe do të na mirëpritni ju këtë konferencë që sot po e realizojmë.

Ky mikpritje është më shumë se një gjest organizativ; është një shenjë e gjallë e besimit të ndërsjellë dhe e kulturës sonë të bashkëjetesës. Ashtu si vitin e kaluar kjo tryezë u mbajt në ambientet e Kishës Katolike, sot po mbahet këtu. Kjo vazhdimësi mes nesh na nxit të vazhdojmë këtë iniciativë si një rrugëtim të përbashkët e të vazhdueshëm. Në këtë frymë, shpresojmë shumë që vitin tjetër të na mirëpresë Kisha Ungjillore apo Kisha Ortodokse.

Fondacioni ‘Drita’ mbetet i përkushtuar në promovimin dhe forcimin e dialogut ndërfetar si një shtyllë kryesore e paqes dhe harmonisë në vendin tonë“, tha ai.

Myftiu i Ksovws, Naim Tërnava foli për dimensionin shpirtëror dhe shoqëror të bashkëjetesës ndërfetare, duke e cilësuar atë si vlerë të trashëguar dhe obligim të përbashkët.

“Jemi mbledhur sot këtu, me nismën e Fondacionit ‘Drita’, për të zhvilluar tryezën me temë: ‘Bashkëjetesa ndërfetare në ne: vlerë hyjnore apo domosdoshmëri shoqërore?’, e cila organizohet për të dytën vit me radhë. Kjo nismë përfaqëson një vlerë të çmuar dhe një përpjekje të sinqertë për të afirmuar dimensionin hyjnor dhe njerëzor të bashkëjetesës.

Ne jemi sot këtu për të reflektuar mbi një realitet që populli ynë e ka ndërtuar ndër shekuj: harmoninë dhe mirëkuptimin ndërfetar. Këto vlera janë bërë pjesë e identitetit tonë dhe një vlerë që e dallon shoqërinë tonë. Të nderuar të pranishëm, historia jonë dëshmon se bashkëjetesa nuk është vetëm një ideal, por një praktikë e jetuar. Besimet tona fetare janë pasuri shpirtërore dhe morale që i japin kuptim jetës dhe forcojnë lidhjet shoqërore. Prandaj edhe sot, ne riafirmojmë përkushtimin tonë për të kultivuar frymën e mirëkuptimit, duke respektuar besimin tonë dhe duke çmuar besimin e tjetrit. Këtë e kemi edhe obligim hyjnor.

Zoti i madhërishëm e porosit Muhamedin (paqja e Zotit qoftë mbi të) që t’u thotë të tjerëve: ‘Ju keni fenë tuaj, ndërsa unë kam fenë time’. Nga kjo mësojmë se misioni thelbësor i fesë nuk qëndron në përçarje, por në afrimin e njerëzve. Ajo nuk synon konfliktin, por ndërtimin e paqes së qëndrueshme. Feja nuk ushqen urrejtje, por kultivon respekt dhe mirëkuptim të ndërsjellë.

Në thelbin e saj, ajo promovon respektin si parim themelor të bashkëjetesës. Këto nuk janë vetëm ideale teorike, por edhe vlera universale me peshë të madhe. Ato mbeten të domosdoshme për çdo shoqëri që synon stabilitet dhe harmoni. Në veçanti, në realitetin tonë, këto parime marrin një rëndësi edhe më të theksuar. Prandaj, afirmimi dhe zbatimi i tyre është kusht për një të ardhme të përbashkët dhe paqësore.

Populli ynë shqiptar dhe komunitetet tona fetare i kanë trashëguar këto vlera ndër breza. Ndaj është përgjegjësi e jona që t’i ruajmë, t’i kultivojmë dhe t’i përcjellim më tej. Ndaj mbajtja e organizimeve si ky i sotmit, janë në funksion të kësaj kauze fisnike dhe njerëzore.

Harmonia fetare në Kosovë është pasuri kombëtare. Besimtari, cilido qoftë feja apo besimi i tij, meriton dinjitet. Dhe në fund, dua të përsëris se: Shqiptaria nuk e mohon fenë, Shqiptaria e nderon fenë, por e refuzon përçarjen në emër të saj“, tha Tërnava.

Përfaqësuesi i KFOR-it, US Chaplain LTC Hornback foli për eksperiencën e tij në Kosovë duke përgëzuar popullin për respektin ndërfetar.

“Një gjë që kam vënë re në kohën e shkurtër që kam qenë këtu, është se kudo që shkoj në Kosovë, njerëzit punojnë shumë për të më bërë të ndihem si në shtëpi. Ka një nivel mikpritjeje këtu, pavarësisht fesë dhe pavarësisht përkatësisë etnike që është e paprecedentë në çdo vend tjetër ku kam qenë, dhe jam mirënjohës për këtë. Dhe natyrisht, ju djema jeni të përkushtuar ndaj një përpjekjeje fisnike këtë mëngjes: dialogut ndërfetar.

Pajtohem me folësit para meje, me Myftiun e Madh, Kryeministrin dhe zotin Gashi, se bashkëjetesa ndërfetare mes nesh është edhe një virtyt hyjnor, edhe një domosdoshmëri shoqërore. Besimi fetar, së bashku me të gjitha traditat e tij dhe mënyrën në të cilën ai na formëson, është një forcë e fuqishme. Ai ka fuqinë të na ndajë ose të na bashkojë. Mund të na çojë në luftë ose mund të na çojë në paqe.

Sidoqoftë, asnjë shoqëri e larmishme nuk mund të zgjasë shumë nëse njerëzit e besimit brenda asaj shoqërie nuk mësojnë të jetojnë, të punojnë dhe të adhurojnë në harmoni me njëri-tjetrin. Dhe natyrisht, bashkëjetesa e shëndetshme fillon me dialog të sinqertë dhe një dëshirë të përulur për të kuptuar njëri-tjetrin.

Si udhëheqës të traditave tuaja të ndryshme të besimit, është gjithashtu e vërtetë se ju mund të jeni një ndikim i fuqishëm në komunitetet tuaja dhe prandaj në atë që do të bëhet Kosova. Asnjë grup i jashtëm nuk mund ta përcaktojë këtë për Kosovën. Ndërsa populli i Kosovës do të vendosë për të ardhmen e tij, ata që janë mbledhur sot këtu si përfaqësues të hyjnores, të cilët japin mësim mbi virtytet hyjnore si bashkëjetesa, kanë fuqi të madhe për të ndikuar në të ardhmen e Kosovës për mirë.

Por një e ardhme më e mirë ndodh vetëm kur të gjithë, pavarësisht fesë apo përkatësisë etnike, punojnë së bashku për ta parë atë të bëhet realitet. Gjatë kohës së shkurtër që kam qenë këtu, jam frymëzuar nga njerëzit që e quajnë Kosovën shtëpi dhe nga udhëheqësit fetarë që kam pasur mundësinë të takoj nga çdo traditë besimi. Kosova është një vend i bukur dhe i larmishëm. Ditët më të mira për Kosovën janë përpara saj. Dhe jam i përulur që luaj një pjesë të vogël në misionin e KFOR-it“, tha ai.