Tre persona kanë humbur jetën pas shpërthimit të një zjarri në një banesë në lagjen “Mirdita” në Komunën e Malishevës.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë Rajonale të Gjakovës, Sheremet Elezi, i cili theksoi se rreth orës 12:55 policia është njoftuar për incidentin.
“Menjëherë pas pranimit të informacionit, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë kompetente policore, zjarrfikësit dhe ekipet emergjente”, deklaroi Elezi.
Sipas tij, në banesë janë gjetur tre persona të gjinisë mashkullore, një i rritur dhe dy fëmijë, të cilët janë dërguar në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Malishevë, ku mjekët kanë konstatuar se ishin pa shenja jete.
Zjarri tashmë është lokalizuar.
Lidhur me rastin është njoftuar prokurori i shtetit dhe autoritetet kompetente kanë nisur hetimet për të sqaruar rrethanat dhe shkaqet e kësaj tragjedie.









