Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë është duke u bërë gati për 250-vjetorin e Pavarësisë dhe për këtë do të organizojë një ceremoni të veçantë në kryeqytetin e Kosovës.
Për ta bërë edhe më të veçantë festën, Ambasada ka dal me thirrje publike për muzikantët në Kosovë.
Ajo u ka bërë thirrje muzikantëve që të jenë pjesë e festimit dhe për këtë të gjithë të interesuarit duhet të realizojnë njërin prej tri këngëve që ka prezantuar Ambasada.
Të interesuarit duhet të zgjedhin njërën nga tri këngët amerikane: “The Star-Spangled Banner”, “America the Beautiful” ose “My Country ’Tis of Thee”, dhe ta incizojnë veten duke kënduar.
Videoja e realizuar duhet të publikohet në rrjetet sociale Facebook dhe Instagram, duke bërë tag faqen zyrtare të Ambasadës së SHBA-së dhe duke përdorur edhe një hashtag.
Kjo fushatë do të zgjasë deri më 12 maj dhe pas kësaj date Ambasada amerikane do të kontaktojë pjesëmarrësit e përzgjedhur, të cilët do të performojnë në ceremoninë e 4 Korrikut.
Ambasada ka inkurajuar të gjithë muzikantët e talentuar në Kosovë që të aplikojnë dhe të bëhen pjesë e kësaj ngjarjeje të veçantë.









