Lidhja e Bizneseve të Kosovës po merr pjesë në Samiti i IV i Diasporës që po mbahet në Tirana, me ftesë të kryeministrit Edi Rama.
Ky samit, që ka mbledhur mbi 500 biznese nga shtete të ndryshme, synon të forcojë lidhjet ekonomike, të krijojë partneritete të reja dhe të nxisë mundësi konkrete për zhvillim ekonomik mes shqiptarëve kudo në botë.
Sipas njoftimit, kjo ngjarje konsiderohet një moment i rëndësishëm për thellimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Kosovës, Shqipërisë dhe diasporës. Në fokus janë investimet strategjike, zhvillimi i qëndrueshëm dhe rritja e konkurrueshmërisë së bizneseve në tregjet ndërkombëtare.
Pjesëmarrja e Lidhjes së Bizneseve të Kosovës në këtë samit vlerësohet si dëshmi e angazhimit për fuqizimin e sektorit privat dhe shfrytëzimin e potencialit të diasporës në funksion të zhvillimit ekonomik dhe mirëqenies kombëtare.
Gjatë zhvillimeve në Tiranë, përfaqësuesit e bizneseve kosovare kanë realizuar takime me përfaqësues ndërkombëtarë, me fokus në koordinimin e aktiviteteve dhe krijimin e bashkëpunimeve të reja ndërinstitucionale dhe ekonomike.
Lidhja e Bizneseve të Kosovës ka theksuar se do të vazhdojë angazhimin për ndërtimin e partneriteteve të qëndrueshme dhe avancimin e interesave ekonomike të vendit në nivel rajonal dhe global.









