Një grua vdes pas rënies nga Ura e Moglicës në Gjakovë, policia del me deklaratë

Një rast i rëndë ka ndodhur sonte në Gjakovë, ku një grua ka vdekur pasi që e njëjta, kishte rënë në ujë nga Ura e Mogolicës.

Kështu është konfirmuar nga zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj.

Ky i fundit ka bërë të ditur se fillimisht, viktima ishte dërguar në spital për trajtim mjekësor, porse, spitali kishte njoftuar me vonë se gjendja e saj ishte përkeqësuar dhe ka ndërruar jetë.

“Rreth orës 19:55 jemi njoftuar se një grua në moshë madhore kishte rënë në ujë nga e ashtuquajtura “Ura e Moglicës”, në rrugën “Ymer Pula” në Gjakovë. Patrullat policore, së bashku me njësinë e zjarrfikësve dhe ekipin e emergjencës, kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku viktima ishte nxjerrë tashmë nga uji. Personeli mjekësor i ka ofruar ndihmën e parë dhe më pas ajo është dërguar për trajtim të mëtejshëm mjekësor”, ka thënë ai.

Rreth orës 21:30 jemi njoftuar nga spitali se gjendja shëndetësore e viktimës ishte përkeqësuar dhe ajo ka ndërruar jetë.

Aktualisht, janë duke u ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes’’, ka njoftuar Policia.