Ramosaj pas deklaratës së Rashiqit: Kurti vepron me logjikë anti-shtetërore, sherrin kemi me ja pa

Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj ka reaguar ndaj deklaratës së ministrit në detyë, Nenad Rashiq, i cili deklaroi se Kurti i kishte thënë se 24 hektarët e Manastirit të Deçanit po ia bërtë Manastirit për hatër të tij.

Sipas Ramosajt, Kurti është mashtrues, dhe me këtë logjikë anti-shtetësrore është ngritur.

Ai madje ka paralajmëruar se “sherrin kem me ja pa edhe më tutje”.

“Personalisht nuk quditem me veprimet dhe vendimet e kqija të Albin Kurtit, në fakt ka vepruar me logjiken anti shtetrore mbi të cilën është ngritur ky mashtrues! Sherrin kem me ja pa edhe më tutje!”, shkruan ai.

Deklarata e tij vjen pasi ministri Rashiq, në një intervistë për median lokale serbe Radio Gorazhdevci, foli për marrëdhëniet e tij me Kurtin dhe për çështjen e transferimit të tokës për Manastirin e Deçanit.

Ai tha se ka pasur raste kur nuk janë pajtuar për çështje të ndryshme, por theksoi se vendimi për transferimin e 24 hektarëve tokë ishte marrë pas këmbënguljes së tij të vazhdueshme.

“Do ta them, ndoshta edhe pa modesti, por kjo ndodhi falë këmbënguljes sime të vazhdueshme. Me vite shpjegoja pse kjo është e rëndësishme. Në fund kryeministri më thirri para mbledhjes së Qeverisë dhe më tha: ‘Kam menduar shumë për këtë. Do ta bëjmë, por ta dish – për shkakun tënd’”, tha Rashiq.

Sipas tij, edhe pse bëhej fjalë për një detyrim të vjetër gjyqësor që nuk ishte zbatuar nga qeveritë e mëparshme, fakti që vendimi u mor gjatë mandatit të Kurtit dhe me nxitjen e tij ka peshë të veçantë.

Në vitin 2024, kryeministri Kurti i kishte kërkuar Agjencisë Kadastrale të Kosovës që të realizonte transferimin e 24 hektarëve tokë për Manastirin e Deçanit, duke argumentuar se kjo do të ishte një hap i rëndësishëm për procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshilli i Evropës.

Megjithatë, Kosova nuk arriti të bëhej anëtare e kësaj organizate.