Abdixhiku: LDK-ja shpreh gatishmëri për bashkëpunim institucional në Parlament

 

Pas prezantimit të ekspozesë për kabinetin e ri qeverisës nga Albin Kurti, në foltoren e Kuvendit foli kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Në fjalën e tij, deputeti Abdixhiku uroi kryetaren e Kuvendit, Albulena Haxhiu, por detyrën e re.

“Ky është një rol i zakonshëm dhe jashtëzakonshëm institucional, sepse drejtimi i Kuvendit nuk matet vetëm me një korrektësi procedurale por me aftësinë për të ruajtur barazinë e zërave, dinjitetin e debatit dhe masën e pushtetit në një vend që e njeh mirë se sa e brishtë bëhet demokracia kur institucionet e humbin ekuilibrin e tyre”, tha Abdixhiku.

“Uroj që kjo detyrë të ushtrohet me pjekuri, me durim dhe vetëdije për rolin që Kuvendi ka në jetën demokratike të Kosovës si shtëpi e përbashkët e përfaqësimit politik, dhe si garanci që asnjë shumicë, sado e fuqishme të jetë, të mos harrojë se pushteti është i përkohshëm, ndërsa institucioni është i përhershëm”.

Ai tha se LDK-ja shpreh gatishmëri për bashkëpunim institucional në Parlament “për tema që tejkalojnë aritmetikën parlamentare sepse besojmë se stabiliteti i shtetit ndërtohet me maturi e me respekt për opozitën, dhe me vetëdije se demokracia nuk është vetëm çështje numrash, por një çështje e kulturës politike”.

Duke iu drejtuar qytetarëve, kreu i LDK-së tha: “Uroj të keni zgjedhur drejt. Ne jemi të bindur se ju, por verdikti juaj duhet të japë rezultate konkrete për ju, jo për fitoret apo humbjet tona këtu”.

“Vullneti qytetar ka folur qartë, dhe ky vullnet e ka vendosur LDK-në në opozitë, të cilin e pranojmë sepse respekti për votën është themeli i çdo demokracie serioze”, u shpreh ai.