Në debatin që shoqëron çdo mungesë të Cristiano Ronaldos, mungonte vetëm një qëndrim zyrtar. Ose pothuajse. Për ta mbushur këtë boshllëk mendoi “Daily Mail”, që raportoi fjalët e një zëdhënësi të supozuar të “Saudi Pro League”, pas zërave për një tjetër mungesë të parashikuar të portugezit me Al Nassr.
Mesazhi është i qartë dhe shkon përtej rastit individual: “Liga Pro Saudite është e ndërtuar mbi një parim të thjeshtë, çdo klub vepron në mënyrë të pavarur, sipas të njëjtave rregulla. Klubet kanë borde drejtuese, drejtues dhe drejtorë sportivë. Vendimet për transferimet, shpenzimet dhe strategjitë merren brenda klubeve, duke respektuar një kuadër financiar që garanton qëndrueshmëri dhe ekuilibër konkurrues. Ky sistem zbatohet në mënyrë të barabartë në të gjithë kampionatin”.
Në referencën direkte për Ronaldon, zëdhënësi thekson: “Cristiano i është përkushtuar plotësisht Al Nassr-it dhe ka pasur një rol të rëndësishëm në rritjen dhe ambiciet e klubit. Si çdo sportist elitar, ai dëshiron të fitojë. Megjithatë, asnjë individ, sado i rëndësishëm, nuk mund të diktojë vendime jashtë klubit të tij”. Si provë përmendet edhe merkatoja e fundit: “Veprimtaritë e tregut tregojnë qartë pavarësinë e klubeve, që kanë zgjedhur strategji të ndryshme duke qëndruar brenda parametrave financiarë të miratuar”.
Së fundi, vështrimi nga fusha: “Me pak pikë që ndajnë katër vendet e para, gara për titull është shumë e hapur. Kjo konkurrencë tregon se sistemi funksionon. Tifozët duan ta shohin Cristianon të luajë sërish sa më shpejt dhe mbështetja ndaj tij mbetet totale”. Një mesazh që synon të shuajë polemikat dhe ta rikthejë fokusin te kampionati, jo tek individët.
The post CR7 në grevë? “Saudi Pro League” e paralajmëron: Askush nuk është mbi klubet appeared first on Telesport.










