Monaco nuk ka vendosur ende për Ansu Fati, spanjollin e duan në Serie A dhe në PL

Edhe pse Monaco nuk ka vendosur ende nëse do të ushtrojë të drejtën e blerjes së kartonit të Ansu Fati në fund të sezonit kur mbaron huazimi, për sulmuesin në pronësi të Barcelonës ka interes në Serie A dhe në Premier League.

Ansu Fati ka shënuar 7 gola në Ligue 1 dhe një në Champions League me Monaco, por sërish klubi nga Principata ka mëdyshjet e veta. Duke ditur që te Barcelona nuk ka vend për të, e ardhmja e Ansu Fati mund të jetë te Como ose te Nottingham Forest.

Como e sheh spanjollin si zëvendësuesin ideal të Nico Paz, pasi argjentiasi do të rikthehet sipas të gjitha gjasave te Real Madrid për sezonin e ri dhe Cesc Fabregas beson se Ansu Fati mund të rilindë dhe të shpëtojë karrierën e tij në Serie A.

Edhe pse huazimi për një sezon te Brighton në Premier League rezultoi dështim, Nottingham Forest nuk ka frikë nga eksperienca e parë e hidhur e Ansu Fati dhe dëshiron ta rikthejë atë sërish në Angli.

Kontrata e Ansu Fati me Barcelonën skadon në vitin 2028, por katalanasit shpresojnë që këtë verë të zgjidhin përfundimisht këtë çështje duke e shitur njëherë e mirë sulmuesin.

The post Monaco nuk ka vendosur ende për Ansu Fati, spanjollin e duan në Serie A dhe në PL appeared first on Telesport.